>
LETERSISHQIP
Ejonë Hasani

Ta Shoh Buzëqeshjen

Nën rrezet e zbehta të dritave të rrugës,
Nën petkun e natës që shtrihet pa përtim,
Nën zhurmën e lehtë të puhizës verore,
Dëgjoj zërin e qytetit tim.

Hapa të lehtë zhurmojnë në trotuare,
Zëra të ëmbël pëshpërisin me lehtësi,
Kalaja e vjetër që qëndron krenare
Më flet për të largëtën lashtësi.

Ëmbël ndrit qyteti në këtë natë verore,
Kënga e gjinkallave dëgjohet anembanë,
Një mori yjesh ndriҫon kupën qiellore,
Një tis gëzimi ndihet tejndanë.

Zhurmat e qytetit- orkestër e përkryer,
Këngë e dashur për veshët e mi,
Diҫka e re e diҫka antike,
Para meje shpalos të mjegulltën histori.

E shkujdesur ec, kaloj rrugë e rrugica,
Para meje shtrihet Viciana e lashtë,
"Pse hesht? Pse s’flet? Në sy pse s’më sheh?"
Deri tani kam pritur shumë gjatë!

Por unë nuk zemërohem, vazhdoj të ec,
Herët a vonë, e di- qyteti im do t’më flasë,
Asgjë e panjohur midis nesh s’do ngecë,
Mes mjegullës së kohës do udhëtojmë bashkë.

Do ҫajmë përmes qiellit, yjeve e yllësive,
Hëna si udhërrëfyese rrugë do na e ndriҫojë,
Do shpalosim të fshehtat e tërë këtyre viteve
Pa e biseduar asnjë gjë s’do na kalojë.

E deri atëherë, derisa kjo kohë të vijë,
Unë do endem rrugëve ende duke pritur,
T’i shoh sytë e njomë, e bukura Vushtrri,
Ta shoh buzëqeshjen pak të venitur.