>
LETERSISHQIP

Zënkë Nimfash

Nxijnë majat e pishave të mjegulluara nga nata,
Qetë në ҫerdhet e tyre thëllëzat pushojnë,
Nga mesi i pyllit me pisha të gjata,
Një tufë shkëndijash të arta gufojnë.

Lëvizin degët përhumbshëm, si të ishin në faj
Një melodi ogurzezë kap vesh i pastërvitur,
Përmallshëm era shkrehet në vaj-
Nimfat sonte qenkan grindur!

Gjinkallat s’këndojnë e hëna pas reve fshihet
Vakëtia në ajër s’e ka të njejtën kënaqësi,
Ndanë pyllit të madh rëndim frymëmarrjesh ndihet,
Pa këngën e nimfave sonte, mbetëm në kotësi.

Presim të na kthehet e ujit freski,
E drurët e pyllit sërish diellit t’i gëzohen,
Se në botën tonë të zhytyr në fantazi,
Nuk ka gjë më të bukur se kur nimfat pajtohen!