>
LETERSISHQIP
Ejonë Hasani

Vetes

Dua të jem heroinë e këngës sime,
Me lahutë t’përcjell trimëritë e mia,
Kur jeta s’dredhon dot të miat medime,
Ku bota më duket si zebër pa vija.

S’më duhet kush të m’i rrahë shpatullat
Kur qëllimin e radhës me sukses arrij,
Ashtu si eca vetë kah ëndrrat më tërhoqën,
Ashtu do vazhdoj vetes t’i prij.

Rregullat e mia s’janë të shkruara në gur
Andaj mjaft më qortuat, e di që s’jemi njësoj
Principet e mia nga tuajat ndryshojnë,
Më lini t’i ngjitem malit tim, e di se do triumfoj.

Ҫdo ditë të re kam botën në sy,
Para ëndrrave të mia e vogël më duket,
Arkën e dyshimeve e kam mbyllur me dry,
Përballë fjalëve tuaja ambicia ime s’do të struket…