>
LETERSISHQIP
Mihal Gjergji

Statuja

Më kot ringjalljen pret Mesia
Gjersa nuk pi në gjinjtë e tu!
Se ty të zbriti perëndia
Me fasha drite, qiell blu
Dy sy të thellë ku vdekja mbytet
Dy hoje buzësh plot nektar
Një shteg mëkati rri në pritje
Ç'tempull kërkon o besimtar?
Mbi dy kolona prej mermeri
Lëviz e vetme një hyjni
E ndjek si hije Luçiferi
Dhe zhduket prapë në arrati!