>
LETERSISHQIP
Mimoza Çobo

Fryma S'më Del Po S’Të Pata Pranë

Fryma s’më del po s’të ndieva thellë në eshtra,
po s’të ndjeva, që të zbutësh ndjenjat e egra,
të gjarpërosh si i marrë mbi hiret e shpërthyera,
të më helmosh e të më ngjallësh, si ngahera.

Fryma s’më del, pa ndierë të dalldisurat ledha,
pa thyer gjerdhet mishtore ku harliset dredhka,
pa ndjerë ekstraktin e rrënjëve të tua nëpër vena,
pa bleruar brigjet e mishta, brigjet e djerra.

Fryma s’më del po s’të pata pranë, unë e mjera,
po s’erdhe të puthësh buzët e buta, buzët e egra,
sythet, që rrinë mërzitur, nën lotin që përpin era,
eja, pastaj le të më dal shpirti nëpër dhera!…

Fryma s’më del po s’të pata pranë, si ngahera,
po s’më le të të marrë një herë erë, unë e mjera,
po s’më le të zhys në valë erotike, të më tretet eshtra,
e pastaj të hedh vallen e vdekjes, pa lotë e brenga.