>
LETERSISHQIP
Mimoza Çobo

Ti Je Tempull Përjetësie

Mes mistereve, nga yjet zbret përherë,
o hyjni pagëzuar në faltoren e yjeve,
aromën femërore shpërndan nëpër erë,
veshur me vellon e gjelbër të pyjeve.

Te ty lulja e jetës, shpirtin e brishtë ushqen,
o hyjni e pagëzuar në burime e kroje,
në buzët e tua, eliksirin e dashurisë gjen,
ai burrë, që di të thith të ëmblën hoje.

Te ty pi gjak embrioni, që do lindi nesër,
me guximin e marrë nga ty, o grua,
esencën e jetës, buzës do ketë patjetër,
se ti e ushqen me dashuritë e tua!

Kush futet në gjirin tënd, të bëj kujdes,
se edhe nën mish ka filiza të pa çelur,
kush fle në gjirin tënd, i mbetet në kujtesë,
ëmbëlsia që la luginës, pa mbledhur.

Kush rri nën hijen e bukurive të tua,
i duket vetja sikur rri nën një tempull,
si të jesh Krisht, falet e të thotë, të dua!
Teksa buza puth syrin tënd nën vetull.

Mes mistereve, nga yjet zbret përherë,
o hyjni pagëzuar në faltoren e yjeve,
aromën femërore shpërndan nëpër erë,
veshur me vellon e gjelbër të pyjeve.