>
LETERSISHQIP

Stinët Pa Kohë Në Kontrast

a. Kontrasti i lindjes

Do të fillosh të më ndjesh,
atëherë kur dielli i ngrohtë
do të lindë nga Perendimi
dhe do të perendoj ë nga Lindja!

b. Kontrasti i ngrohjes

Do të fillosh të ndjesh mungesën time,
atëherë kur, në mes të verës,
s’do të ngrohë më dielli,
por do të mbërthej acari!

c. E papritura e Hënës...

Do të fillosh të më kujtosh,
atëherë kur, hëna e plotë
do të lindë në agimin e ditës
e jo në muzgun e mbrëmjes!

d. Qarje dhe lagështi dynotash

Do të fillosh të qash për mua,
atëherë, kur do fillojë shiu,
ta lagë trupin tënd të shkretë,
kur ti e urren më së shumti!

dh. E kuqërremta dhe zverdhja

Do të fillosh të mendosh për mua
atëherë kur, në marsin e pranverës,
natyra do të jetë e kuqërremtë
dhe gjethet do te zverdhen mbi tokë!

e. Më së fundi emri im...

Do fillosh ta thuash emrin tim
atëherë kur, në janar të dimrit,
dielli do ta flakë shpirtin tënd
që t'i s'do të mund ta durosh!

f. Bilbilim i heshtur
Do të fillosh të më dashurosh
atëherë, kur në tetor të vjeshtës,
do të lulëzojnë pemët e braktisura
e do të këndojë bilbili i heshtur!

g. Kërkim i vonuar...

Do të fillosh të më kërkosh,
atëherë kur do të vijë një çast
kur unë do jem shumë larg nga ty
dhe s'do të të kërkoj më dashurinë tënde!!!