>
LETERSISHQIP
Natasha Limaj

Na Mbyten Deshtaket Gjeni

Shpesh herë e akuzoj, por dhe kritikoj veten, pse shoh?!... Jo vetëm, që shoh, por edhe dalloj qartë përtej sipërfaqes, gjë që më bën të indinjohem, kur pikas padrejtësitë dhe fenomenet me negative te sejvuara mirë në karakteret e individëve dështak te vetquajtur " gjeni ", të cilët kanë lulëzuar si kërpudhat mbas shiut në shoqërinë tonë. Te sipërpërmendurit që u bënë " katalizator " të shkrimit tim, duke qënë të paaftë profesionalishtë, duke e ndjer rrezikun e humbjes së vendit të punës, mundohen me të gjitha mënyrat të bëhen rezistentë ndaj " rrebesheve " vlerësuese që herë-herë kalon në skaner performancën tyre boshe. Duke shpërfaqur " talentin " e tyre të rrallë këto lëpirovina parazite, tamam si " kuskuta " qe i ngjitet bimës vitale dhe rritet mbi të, ky lloj njeriu mundohet të hedh grepat tek ndonje parti politike, pasi vegjetimi në të i jep mrojtje dhe siguri.
Fatkeqësi e madhe per shoqërinë tonë që beson tek këto monstra dështake të cilat hanë me shumë duar dhe vetshpallen palca intelektuale e kombit, kur realiteti tregon, se nuk shkëlqejnë në asnjë drejtim. Si të ardhur nga nënzerua dhe të tmerruar se mos zbresin përsëri atje, mbajnë një këmbë në politikë, pa e shkëputur tjetër nga profesioni, duke u kthyer në qenie hibride të deformuara pa identitet. Kur politika i hedh poshte si rrecke, keto vemje kthehen prap ne folezen e tyre profesionale. E ç'mund të presësh nga këto dyzime mentale orbita e të cilave rrotullohet rreth interesit personal???... Në atë varfëri shpirtërore, thatesirë kreative e shkretëtirë formuese, si mund të lindin ide madhore në të mirë të komunitetit dhe atëdheut?...Edhe pse me dashurinë e madhe per mëmën Shqipëri këta " krimba " profepolitikë struken nën çadrën e turmave partiake dhe te vetkënaqur, pasi pergjegjshmëria ngelet pa " atësi "dalin pa lagur dhe nuk e kanë problem të rrëmbejnë të pamerituarën.
Të vetquajturit " gjeni " fryrë si kendezi mbi pleh mendojnë, por edhe e bindin veten, se kane ardhur ne kete bote te jenë lider dhe me snobizëm trumbetojnë, se bëjnë "epokë " kur në fakt janë qëniet më të rëndomëta të cilat pengohen duke përsëritur retorikat boshe të eprorëvetë tyre politik. Këta janë viroza më e keqe e një kombi, modeli më i ulët i humanit Shqiptar. Fatkeqësi e madhe, kur sheh, se gjithë institucionet shtetërore të mbipopulluara nga kjo specie negative janë kthyer në bunkere të pazbërthyeshme, me distancë nga qytetari, të cilit kanë detyrë t’i shërbejnë. Çudia më e madhe është se rekrutimi i tyre në institucione, shoqata apo parti, arrihet me parimin e " rrepkës " injoranti i zgjat dorën, superinjorantit, vlerën e injoron, pasi tmerrohet nga sfida.
Kështu tryezat partiake gëlojnë nga profepolitik dështak që nuk arrijnë te lidhin dot dy fjalë, e jo më të jenë busull orientuese për kombin. E ç'mund të presësh nga këto shushunja që në fillim të karirës prezantohen me performancë vizive arkaike dhe, sa hap e mbyll sytë, nuk i dallon nga vipat televiziv?.. Metamorfoza me shpejtësi drite ua fshin origjinën dhe, nuk është faji i tyre, zhgarravisin origjinë " rrezëllitëse ". Lebeti qe shoqëria jonë lulëzon nga këto monstra, puthadore, sahanlëpirëse, parazite. Gjithmonë më intrigon pyetja, se kur ndonjëherë Shqipëria jonë e dashur, do të pastrohet nga këto skorje mbytëse???... Apo mos jemi të dënuar që në tre shqiptar, dy t'i kemi të tillë?!...