>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Atë-Abbà

Më duket e tepërt
të them: Ati im!
Më mjafton thjesht: Atë.

Dhe përmbytem
në Oqeanin e Pafund e të Qetë
të Përjetësisë së pakrijuar.
Nuk zhdukem,
as nuk asgjësohem,
por përhumbem dhe shkrihem,
tretem si kripa në ujë.
Kështu fshihem
e nuk shihem.

Jam kaq mirë
dhe lëshohem i paqtë
në Ujërat e Trinisë.

Do të lë të përkundem
nga valët e ëmbla
të këtij Oqeani.
Edhe po erdhën dallgë të mëdha e të furishme,
do të rri i kthjellët,
do të rri si i vdekur në mesin e tyre.

Kësaj radhe s'do të dal më në breg,
se ato dallgë shumë të larta
do të më gjuajnë shumë thellë,
do të më zhysin vazhdimisht
derisa të më çojnë deri në fund.
Oh, sa i këndshëm ky Shtegtim,
sa i ëmbël ky Pranim,
sa Jetë në këtë Takim!

Oh, Imzot,
kur do të më çosh aty, krejt në fund,
nga ku krijesa jote e vogël nuk do të dalë kurrë më?
Shkodër, më 15. 06. 2024