>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

O Heshtje Që Më Mbron!

Sa re pluhuri u ngritën mbi mua,
por heshta;
valët e detit u tërbuan kundër meje,
por heshta.

Siç thotë edhe Psalmi:
“…të gjitha vorbullat e valët e tua
kaluan përmbi mua” Ps. 42, 8)
dhe qetësisht heshta.

Stuhi të pafund e shkundën tokën,
por heshta dhe qëndrova në këmbë;
shigjeta nga çdo anë u gjuajtën drejt meje
e prapë heshta.

Asgjë dhe askush
nuk mundi të më bëjë as dëmin më të vogël,
sepse Heshtja është mbrojtja më e mirë!

O Heshtje e bekuar,
që më mbron me kaq shumë dashuri,
më vish me Ty
e rri gjithmonë me mua!
Shkodër, më 04. 05. 2025