>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

A Mos Duhet Shkop…?

Në derë të shejtnores,
gdhendë kjartë e bukur, një thupër.

Në oxhak të kështênit,
me kujdes e ruejtun, një thupër.

Në dorë të bariut,
vringllon kaq bukur, një thupër.

Në prroska t’Shqipnisë,
n’mes murrizash e lumtun, rritet një thupër.

Ndërgjegjja dhe shpirti,
sod larg janë tretë, mâ thupër s’ka mbetë!

Se bota harrue ka,
që shumë dashni ka mbrenda n’thupër…

Modernizim, shoqnue me çmenduni…
A mos thupra asht pak e duhet dajak…?

Se, siç ka ba Krishti n’Tempull
disa sod e kanë hak me i zhdapë n’dajak.

Eh, siç thotë fjala e urtë, unë prapë kisha thanë:
“Dajak ktij populli s’ka kush me i dhanë!”.

E për ata që me mue,
janë mrekullue, ta dini se edhe Krishtin e kanë frushkullue!

T’part mjaft mirë, ne na kanë msue,
se n’der t’Parrizit, asht thupra e bekue.

Në daçi pra, me shkue n’Parriz,
pranoni që thuprën, me jau ngjesh n’kurriz!

Nëse pranon shkopin qysh në rini,
ai mbshtetje e madhe ka me ken n’pleqni.

Si shkopi i Mosiut edhe i Aronit,
lè ta dimë prore, se thupra asht hyjnore!

Me kaq sa ju thashë, kuptonje edhe vetë,
pa thupër s’ecin para, as njerëzit, as qetë!
Shkodër, më 29. 01. 2025

Botuar në Vëllimin “Ora e Pavarësisë”, Grup Autorësh, Shtëpia botuese Fidani, Prizren, shkurt 2025, fq. 70-71.