>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Një Ngjarje Në Tokë… Dhe Jo Vetëm Kaq

Recension për romanin me të njëjtin titull të Ipeshkvit Imzot Zef Simoni
Një titull sugjestiv…
Nuk më është dashur shumë të shtyhem me një dëshirë të fortë për të lexuar librin “Ngjarje në tokë”. Menjëherë, sapo kam shikuar titullin e veprës dhe emrin e autorit, diçka misterioze më goditi në shpirt. Më foli shumë ky titull, para se ta lexoja librin! Ndoshta se unë e njihja Imzot Zef Simonin që në 1991 dhe se që atëherë një miqësi mjaft e bukur është instauruar mes nesh. Kam jetuar momente të bukura me të, që kur e takova për herë të parë me qëllim që t’i shpreh dëshirën time për t’u bërë meshtar e deri në këto momente kur ai me shumë dashamirësi e kujdes baritor vazhdon të vizitojë bashkësinë tonë të Shën Kollit në Breg të Matës. E si të mos më godiste titulli “Ngjarje në tokë”, në këtë periudhë të jetës sime, në të cilën po reflektoj thellësisht mbi botën shpirtërore të njeriut, mbi realizimin e personit, mbi vuajtjen në botë? E si të mos më godiste në këtë periudhë kur gjithnjë e më shumë po verifikoj se jeta e personit njerëzor me të vërtetë është një ngjarje në Univers brenda universit? Me këtë titull, do të mund të shkruheshin sa e sa libra. Se jeta e çdo njeriu, shpirti, karakteri, sjellja etj., janë jo vetëm një ngjarje, por një botë, një univers unik. Po, personi njerëzor është një Univers, eksplorimi i të cilit përfundon me atë realitet që e thërrasim Vdekje. Është ky eksplorim, që Ipeshkvi ynë i dashur, e ka përshkruar duke ndërthurur me harmoni jetën e tij me botën që e ka rrethuar që nga lindja deri në çastet kur ka përfunduar veprën.

Ngjarje në tokë…
“Ngjarje në tokë” është shprehje që autori e ka përdorur rreth 10-12 herë. Pasi përshkruan një ndodhi, një situatë, një personalitet, thotë: “Ngjarje në tokë”. Trajton kështu në mënyrë filozofike çështjet mbi jetën, të mirën, të bukurën, idealin, vuajtjen, dhimbjen. Njohja e jetës dhe e njeriut, si një ngjarje në tokë, është tema kryesore e librit. Është një ngjarje në tokë lindja e tij, jeta e personazheve që ai citon në libër; ngjarje në tokë, martirizimi i shumë klerikëve dhe i shumë personave të tjerë të pafajshëm; ngjarje në tokë, luftrat e ndryshme që ka përballuar gjatë gjithë jetës… Personazhi kryesor është Zefi, fëmijë, mësues, meshtar, i burgosur, famullitar, ipeshkëv, studiues, shkrimtar… Personi i Zefit me të gjitha bëmat e tij. Personazhet tjera janë të shumtë, duke nisur nga prindërit, shokët e fëmijërisë, kolegët e punës etj. Përmenden emrat, si: ipeshkvijtë Frano Gjini e Gjergj Volaj. Klerikët tjerë, si: Mark Hasi, Atë Shtjefën Pistulli, Atë Anton Luli, Atë Anton Harapi, Giovanni Fausti, Daniel Dajani, Mark Çuni, dom Zef Gila, etj. Një vend të gjerë në vepër e zë figura e Atit të Shenjtë Papës Gjon Pali II, me të cilin ka përjetuar çaste mjaft prekëse, të përmallshme, çaste historike. Edhe motra e tij, Çilja, është një personazh i jashtëzakonshëm, një figurë e mrekullueshme, me pak fjalë, një motër që ka jetuar me virtyt, duke qenë nder për vëllezërit e saj. Pastaj Gjergji, vëllai, i pari që shugurohet meshtar pas rënies së diktaturës komuniste, ka ecur pothuaj krah për krah me autorin në itinerarin e jetës së tij. “Nuk shkruej për njerëzit që kanë ba keq, veç për ndonjë që ka lanë gjurmë të madhe”, - thotë autori. E në fakt, ka përdorur pak emra, si: Nesti Havjari, Enver Hoxha, Bardhok Ndue Prendi, Aranit Çela, Mehmet Shehu. Kur flet për komunistat i karakterizon me shumë thjeshtësi e qartësi njëkohësisht: “… shokë njeni me tjetrin, pa qenë kurrë vëllazen”. Pastaj për “kulturën” që komunizmi do të sillte: “Çka asht kjo kulturë e egër që nuk ka ekzistue asnjëherë?”. Por, ka përdorur edhe emra personash që “nuk kanë histori”. Me kuptimin se ka cituar emra që nuk kanë popullaritet, megjithëse me shembullin e tyre kanë ndërtuar në heshtje një histori që më vonë do të flasë. E, një ndër këta është Z. Ndrecë Haxhari nga Rragami, njeri që ka lënë gjurmë për mirë kudo që ka shkelur, kudo që është shprehur, kudo që ka vepruar. Ka kryer gjatë kohës së regjimit komunist, mes persekutimesh, një veprimtari të palodhshme për shpalljen e fesë, në dhënien e katekizmit fshehtas e sidomos në ndihmën e qëndrueshme ndaj meshtarëve të burgosur. Përfitoj të komunikoj, ndër të tjera, se pikërisht ky burrë, që më pëlqen ta quaj burrë Kishe, e për të cilin Mons. Zef Simoni ka një stimë shumë të madhe, më ka pagëzuar një natë shtatori, kur gjendeshim për t’u lutur fshehurazi mbi gërmadhat e shenjtërores së Shenjtes Eufemi në Kallmet. Edhe kjo “ngjarje në tokë”… Duke mos u zgjatur, mund të themi se autori ka vlerësuar me shpirt të gjithë ata që e kanë ndihmuar dhe i kanë bërë mirë në çdo moment të jetës së tij, pa gjykuar kurrë ata që i kanë bërë keq. Një roman origjinal… diçka më shumë Përveçse një përshkrim historik, libri është një refleksion i thellë mbi jetën, mbi lindjen e vdekjen, mbi traditat dhe kulturën tonë, është një refleksion i thellë mbi realitetin shpirtëror të personit. Kushedi sa shqiptarë do të mund të gjenin veten në veprën që po analizojmë! Dhe jo vetëm ata që kanë vuajtur nëpër burgje, internime, në punë të sforcuara, port ë gjithë për arsye se në të gjendet e gdhendur artistikisht një jetë e tërë, një jetë e sprovuar në Kalvarin e mundimeve komuniste. Ideja kryesore e librit, - e thotë vetë autori, - është Providenca (Provania ose parashikimi i Zotit). “Kam pasë parasysh të shkruejshe këtë vepër me një ide të madhe, shkruan, atë të Providencës. Kjo edhe e shpëton nga një autobiografi, nga çdo mërzi dhe shtien veprën në realitetin e historisë dhe të vlerave të saj”. Një meritë të madhe e ka Ipeshkvi për përshkrimin e sinqertë të mundimeve të tij shpirtërore… madje edhe për të metat e tij, që ndoshta nuk meritojnë të quhen të meta, por modestia ia lejon t’i konsiderojë si të tilla. Si një shprehje e pasionit të tij për letërsinë, me kompetencë të veçantë e plot mjeshtri, analizon shkurtimisht e në mënyrë konçize mendimet e veprat e shumë shkrimtarëve shqiptarë. Gjithashtu përshkruan me hollësi detyrat e meshtarit, ku Zoti edhe e ka thirrur. Lidhur me gjuhën ndoshta nuk jap një gjykim objektiv. Sidoqoftë kufizohem duke thënë se fjalitë janë të ndërtuara me art e të ngarkuara me mendim filozofik. Në përgjithësi, është gjuhë e rrjedhshme. Nëse nuk gabohem, mund të konsiderohet një shkodrançe letrare. Përdor me bollëk figurat letrare, sidomos antitezat, gje që bën të mundur përshkrimin realist të jetës e të situatave të ndryshme në të cilat gjendet autori dhe ambienti jetësor i tij. Me shumë shije flet për letërsinë, duke e konsideruar “një forcë në art”. Libri ka një vlerë të jashtëzakonshme historike. Shumë lexues (të moshave të reja), që nuk e kanë përjetuar periudhën e sundimit komunist në Shqipëri, mund të gjejnë në këtë vepër një material të gjerë me të dhëna të sakta, me data, emra, përshkrime etj. Një vlerë të rrallë për historinë e Kishës në Shqipëri (gjatë periudhës kur shteti ynë u shpall ateist) e ka kapitulli V me të ashtuquajturin “Revolucion kulturor” dhe me mbylljen e Kishave. Dëshiroj, së fundi, të falënderoj me gjithë zemër Imzot Zef Simonin për dhuratën që na ka bërë nëpërmjet këtij romani autobiografik. Personalisht i jam mirënjohës (besoj bashkë me mua edhe të gjithë ata që e kanë njohur) në mënyrë të veçantë për dhuratën e jetës së tij që është një dëshmi e gjallë për të gjithë. Me shpresën dhe dëshirën e zjarrtë që kombi ynë të ngrihet në kohën e duhur, në të gjitha fushat… duke ia besuar Hyjit të Gjithëpushtetshëm në këtë Vit Jubilar, Atij që është i aftë “të pastrojë kujtesën” e një historie që shpeshherë gjatë shekujve nuk ka bërë histori. Me respekt dhe dashuri, i bashkuar me Ju në Krishtin e në Zojën e Bekuar,
Nikolin Sh. Lëmezhi