>
LETERSISHQIP
Nita Beluli

Shtëpia Ime

Lotët që derdhen mbi supe të nënës
qetësojnë mërzinë nga dallgët e shpirtit
derdhin mendimet, si n’fletë bojë e penës
që hedh në të bardhë, zitë e vajtimit.

Jastëk ai sup ku pushon çdo luftë
ku vë kokën pengë pa asnjë dyshim
i dobët asnjëherë, për armiqtë i ngurtë
që falënderon edhe kur e lëndon pa qëllim.

Ushqim, ata sy që s’ngopesh duke i parë
me gëzim e hare ta mbushin sofrën plotë,
kur autobusi nisej ata sy ndiqnin zvarrë,
urinë, që sytë për ca javë s’do takoheshin dot më.

Shtëpi, ai përqafim që të jep paqe e ngrohtësi,
ku kundërmon aroma e gjellës mbi shporret,
i ëmbël e komod në të çdo fëmijë
që brenda përqafimit i dëgjon zemrën si i troket.

Kur nëna mbyll sytë për të fjetur nga kjo jetë
kur zemra saj ndalet dhe shpirti të jetë duke u preh
në ketë botë ti ke humbur dashurinë e vërtetë
dhe jo vetëm pa nënë, por ke mbetur dhe pa strehë!