>
LETERSISHQIP
Nita Beluli

Kur Dielli Rri Ngrysur

Kur Dielli mund të fshihet pas reve
s’do të thotë se të nesërmen s’do të sundojë sërish
ashtu si e vërteta pas rrenave
që vjen një kohë e del në mejdan si bishë.

Gjuhë-gjilpërave mos iu trego darët
merr shtruar situatën me qetësi
para miletit vetë do të dallohen të marrët
pa u bërë ti shkulës-mjeshtër me meritë!

E mos luaj bixhoz me fjalën tënde
thuaje një herë mjafton
ai që ‘s’ka kuptuar’ në fakt nuk i këndet
mirë të ka dëgjuar, por kohën ta harxhon!