>
LETERSISHQIP

Zonja Në Të Zeza

Kërciti tik-taku i sandaleve italiane
dhe rrugët e qytetit u ndjen brishtaz nga pas
një e kollitur pa nevojë tek sokaku më poshtë
sy, shikime të panumërta të mbushur më josh.

Pllaka Viktoriane, me vija e ngjyra shumë
zbritnin nën hijen e fustanit të zi
koka që kthenin hundën nga esenca e mirë
pëshpëritje të buzëve të grave plot zili.

Dielli rrezet i pushonte mbi pemë
si sytë e saj nën syzet gri
hapat që pushtonin heshtjen e thyer
për të qenë saktë në takimin e orës dy.

Një tingull që u shoqërua shpejtë me ‘alo’
ku vërehej qartë kontrasti madhor
mes buzëve të kuq si gjaku
dhe dhëmbëve bardhë si dëborë!

Pastaj seç u tha, nuk u dëgjua
fjalët i mbyti një makinë atje matanë
atëherë fryma e rrugës në çast pushoi
kur çapitja e saj në vend u ndal.

Pas pak, kokën ngriti...eci, vazhdoi
kësaj radhe me më shumë shpejtësi
me erën nëpër këmbë dhe flokët që ia ngatërroi
por që nuk arriti ta pengojë gjithsesi.

Në mes të kthesave ajo humbi diku
rrugës iu rikthye gjendja në thjeshtësinë e vet
por akoma mbetet në memorie, akoma
femra e veshur krejt në black.