>
LETERSISHQIP

Çelësa Argjendi…

Për të hapur një portë errësire duhen çelësa argjendi
Duhen dy llërë të bardha gruaje ta ulin Errësirën në fron
Errësira nuk flet: bën gjeste të mugëta,
prek takëmet e një dashurie të fikur
nuk pranon të hapen dritaret
të zgjojë habinë e mureve të frikës.

Për të hapur një portë errësire duhen çelësa argjendi
Errësira ta mësojë dritën ngadalë
Në fillim me sytë: me dritën që buron sëbrendshmi
Pastaj me dritën e zhveshur të fjalës.

Mos e lëndoni Errësirën: ka ndrydhur brenda dëshirat e vejushës
Me një vel të zi mbi thinjat e dritës
Në prehër mban plagët e një ëndrre të vrarë.

Për të hapur një portë errësire duhen çelësa argjendi
Ca rrahje zemre dhe Errësira drithëron
Pranon ta hapim pakëz dritaren një bisk shprese të çeli
Një degëz, gjethet, petalet e bëjnë të çohet nga froni…
Nëse Errësira padashje heq velin
Është shenjë se mund ta dashuroni.