>
LETERSISHQIP

Karrigia E Së Vërtetës

Ulem në karrigen e së vërtetës
përballë kam fytyrat e tyre.
Tej dritares
ca zogj realë
kërkojnë të më flasin
me kodin e cicërimave.

Rrini zogj, më lini të qetë
qelqi ku përplaseni
s’është qiell i vërtetë…

-Keni qenë rastësisht në vendin e gabuar?
-Në çdo kohë ne jemi gabimisht të vonuar…

-A patë gjak në fytyrën e viktimës?
-Ishte natë dhe shikoja me dritë të vetëtimës…

-Velloja e nuses a dukej e përgjakur?
-S’kish vello, kish vetëm flatra në flakë…

-Po vrasësin, vrasësin a e pe?…
-Dhe vrasësi vetë qe shtrirë përdhe.

-Dhe dhëndrri dhe vrasësi shtrirë përbri
po ju me nusen çfarë bënit aty?
-Veç Zoti në qiell e di…

Rrini zogj, më lini të qetë
qelqi ku përplaseni
s’ështe qiell i vërtetë.