>
LETERSISHQIP

Perëndritë

Lotët janë ujë me njëqind magjira.
Një njeri gatuan dy milion pika loti
kaq sa zgjat rruga nga Toka te Zoti.

Apokalipsi është ujë
dhe Pëllumbi i Tretë i Noes fluturoi mbi ujëra
Një repëllumb po vjen
me një degë vetëtime
plot shi ullinjsh
në sqepin që do bëhet
boshti i Tokës.

Krishti eci mbi ujë e pak shekuj pas tij ia behën serfistët

Ajsbergët janë ujë: filozofë të shtatëfishtë.
Seicili nga ne mbyt një “Titanik”.

Vendi im i rrethuar nga uji: te duart, te këmbët, te zemra, te sytë
veç te buzët e njerëzve ende ngrihen mirazhet e shkretëtirës.
Vendi im i trishtë, i trishtë.

Akullnajat janë ujë i ngrirë: në shkrirjen e tyre fshehin kataklizmën…