>
LETERSISHQIP

I Mëshiruari

I mëshiruari ecën me hapa të vegjël nga që shkel triumfin e të tjerëve
i mëshiruari ndjen zemrën t’i rrah festive si kisha të dielave.
Zvogëlohen hapat dhe zmadhohet pamja, ajri ngjeshet nga cinizmi
mushkëritë hapen si dy zarfa: nxjerrin gazin karbonik të civilizimit.
I mëshiruari ecën me hapa të vegjël sa ndrojtja e ka zili
i mëshiruari ngjan me pëllumbeshën kur ngroh vezët
Papritmas ndalet njëlloj si etja kur thotë “do pi”
dhe pi me një gllënkë gjithë jetën.

I mëshiruari qep flamurin e grisur të ditës që shkoi
pastaj e tendos flamurin në pendesën e tij
i mëshiruari është: sypakdritë,
fjalëpakgojë
shpirtpakliri.
Dalëngadalë kupton se është dhe njeri…