>
LETERSISHQIP

Mali

Jam Mali nën qiell:
Mikelanxhelo i shtrirë nën kubenë me afreske yjesh dhe resh.
Me shpirt orteku dhe pse i bardhë vras
vetëtima dhe perëndi
në një banket marramendës
thërrasë:
Ejani,
shfryhuni,
ndizuni,
digjuni,
dridhuni
fishkëlleni erë,
dehuni me shi
nesër ca vjollca: gracka pranvere
do t’ju kapin në befasi.
Ujqërit strehoj në shpella duke ëndërruar kockën e hënës
dhelprat aspak inatçore ndaj fabulave më mallkojnë që s’u dhashë për të ngrënë.
Derrat e egër imitojnë bubullimat mes mjegullës shohin gjahtarë
gjelat dhe zogjtë që mbaj mbi shpinë: emblema që duhen dhe s’duhen vrarë.

…nesër ca vjollca: gracka pranvere do t’ju kapin në befasi.

Rrjedhin rrëketë, pemët kërrusen, lart qiejt shpërthejnë në orgji
Maja ime
si pëllëmbët në lutje
lutet për Zotin e ri.

Jam Mali nën qiell:
Mikelanxhelo i shtrirë nën kubenë me afreske yjesh dhe resh
që Papës i them: Prej kohësh po vuaj
lërmë ta mbaroj këtë pikturë të egër
pastaj mos më paguaj!…

Nesër ca vjollca: gracka pranvere në befasi do më kapin dhe mua.