>
LETERSISHQIP

Më Mungon (Në Spital)

Më mungon një mal i lartë
Që t’i ngjitem mu në majë të majës
E t’ia mbush lugjet memece
Me një piskamë të fortë malësori

Më mungon një lumë i kthjellët si loti
Që t’i futem mu në mes të dallgëve
E t’ia kompozoj ëmbëlsisht
Do gurgullima të përjetshme rrjedhe

Më mungon një puhizë e lehtë pranvere
Që t’ua flladis ballin e djegur
Të gjithë këtyre që po dergjen nëpër këta shtretër

Më mungon një livadh i gjerë sa deti
Që t’ia mbledh krejt blerimin
E t’ua sjell këtyre njerëzve këtu
Që ta mashtrojnë me ngjyra pagjumësinë e netëve të gjata

Më mungon një mbesë me emrin Yllka
(Që ende s’i ka mbushur dy vjet)
Që ta përqafoj pushtueshëm
Derisa ta pëlcas mallin që po më përvëlon

Më mungon një nënë me emrin Bahtije
(Që sivjet i ka mbushur njëqind e tri)
Që t’ia ofroj një trohë melhem shpirti
Nga shpella e hapur e shpresave të mia

Më mungon një derë e hapur
Që të dal kur të dua
Nga lëkura që s’po m’i bjen tamam shtatit

Më mungon një gojë që flet
Që t’u thërras ndërgjegjeve të fjetura të këtyre këtu
Që të na thonë ndonjëherë edhe ndonjë fjalë të ëmbël
He nënën ia lofsha edhe kësaj pune
Prishtinë, shkurt 2018