>
LETERSISHQIP

Covid-19

Derisa njerëzit
Këto qenie humane (thuhet të vetmet të tilla në planetin tonë të quajtur Tokë)
Kapitalin më të madh e shpenzojnë për ta luftuar njëri-tjetrin
(Duke i lënë të vdesin urie me miliona e miliona njerëz në vit)
Del diku atje në Kinën e largët
Një bishë që jeton në do xhungla të egra
(S’dihet a është mi a iriq a majmun... a çka djallin është)
Dhe formon ushtrinë e vet sulmuese
Për ta pushtuar botën

Thuhet se ushtarët e saj janë aq shtatshkurtër
Sa nuk mund t’i shohësh pa mikroskop
(Çfarë strategjie luftarake, o Zot!)

Tash njerëzve të armatosur deri në dhëmbë
Me raketa shfarosëse tokë-tokë
Me raketa shkatërruese tokë-ajër
Me tanke, me luftanije, me aerplanë turlifare...
Me bomba atomike të shkatërrimit në masë
Me koka bërthamore të llojllojshme e të panumërta
Sa për t’i asgjësuar përnjëherë (po thonë) disa planete si ky i yni
U ka hyrë lepuri në barkë
Dhe janë strukur nëpër birucat e tyre si minjtë

Disa që ende po na lënë të vdesim nga kanceri
E veten po e quajnë shkencëtarë të shquar
I janë sulur kësaj ushtrie me do shishe të vogla e me do gjilpëra
Duke garuar se kush po fiton më shumë nga kjo fatkeqësi
Derisa krejt ne të tjerët i kemi var shpresat tek ky lëng i bekuar
I quajtur VAKSINË
Dhe po e presim radhën...
Mitrovicë, më 14 gusht 2021