>
LETERSISHQIP

Shtjella

Më janë ngatërruar keq ëndrrat me zhgjëndrra
Dhe kahet e rrugëtimit më janë ndar në dysh

Nuk po mund ta gjej rrugën time
Nuk po di nga t’ia mbaj

Diku më shfaqet një lumë pa brigje
Diku tjetër një pyll i zhveshur

Tash nuk po di
A t’i bëj turr rrjedhës së pandalshme
E t’u zë pusi dallgëve të dalldisura
A t’i gjethoj ata drunj të zhveshur
E t’ua kthej cicërimën zogjve

Keq më janë ngatërruar ëndrrat me zhgjëndrra
Sa nuk po e di se cili jam unë në këtë shtjellë të rrëmbyeshme
Cila është shtjella e rrëmbyeshme brenda meje

E di se një ditë do ta gjej rrugën e daljes nga kjo zallahi
Po cili do të jetë tagri që do ta paguaj
Cila do të jetë damka e pashlyer brenda vetes sime
Mitrovicë, më 18 qershor 2022