>
LETERSISHQIP
Violeta Kadriu

Nëse Do Që Të Jesh "Ai"

Nëse do që të jesh "Ai",
eja,
por bëhu gati të më durosh çdo natë
kur e llahtarisur nga ankthet vetëm emrin e tij do e përmend,
nëse do që të jesh " Ai", eja,
por bëhu gati për një zemër e shpirt të thatë,
se askush më si nurylli i tij
në zemër s' do më zë vend!

Nëse do të jesh në vend të tij,
eja,
por më parë pyete hanën
në ç' vend për herë të parë
gjokset na i pati ndezë,
më ofro të bëj prapë mëkatin e ëmbël, nëse mundesh
e nëse di se cili qe ai,
më duro çdo ditë tek mallkoj jetën
pse na u tregua aq e pabesë!

Nëse pranon që të jesh "Ai"
mat veten në pasqyrë të syve të mi,
shih sa yje ka në ta për rigjallërim,
të rënë e rrezekëputur,
nëse mund të ma kthesh n' buzëqeshje pastaj
atë që dikur notonte në vaj,
do bëhem faltore e jote lumturie,
ku zambakëzemre do të t' çelin pa u lutur!

Nëse do vërtetë të zësh vendin e tij
e mëngjeseartë në shpirt çdo ditë të të gdhijnë,
mbyll sy e vesh edhe para çarjes së shkëmbinjve,
ku emrat tanë lan jehonë,
brishto si lehonë me të parin fëmijë,
kur me afsh t' parën herë e ushqen me gji,
e bëj,
bëj, që n' " fushmejdanin" e prushit të rindezur të kësaj zemre
flamur petaltrëndafili prapë të prijë!

Nëse ngul këmbë që të jesh "Ai"
e beson se do të jesh,
kthe çdo dimër t' acartë timin në Maj,
Pyllshpirtin mos ma lë blerimzhveshë!