>
LETERSISHQIP
Violeta Kadriu

Kur T’ Më Marrë Malli Për Ty E S’ Të Kam

Do të ngjitem me ngutë
në majë dege qershie,
do këpus kalaveshin blerosh
e me qershi kuqëluar,
do i gllabëroj kuqaloshet
me afsh dashurie,
epshin për buzët e tua
me to për ta shuar.

Do e pres me ëndje stinën
sa të zverdhet ftoi,
një nga një të gjithë verdhoshët
do i mbledh me radhë,
t’ ua ndiej aromën në çdo cep
ku ndihet gurgullimë kroi,
të ma kujtojnë aromën tënde
prej erëmiri të rrallë.

Do të pres me ëndje
sa të çahen fiqtë,
skaj brigjeve të atij deti
të bukur të Ulqinit,
do hap pijen më të shijshme
me ty e me miqtë,
duke u quar të fala valëve t’bregdetit
të Vlorës, Sarandës, Shëngjinit.

Kur të më marrë malli
e s’ të shoh me sy,
do shtegtoj në çdo hije luleje bliri
t’ u qahem sa e vetmuar jam,
në to do më gjejë ngushëllim halli,
se po digjem si flakë qiriri,
s’ do lejoj që askush të mendojë as në ëndërr
se harruar të kam.

Kur të mërzitem shumë
e s’ do ta di se ku je,
jehonën e zërit tënd
në simfoni violinash do e kërkoj,
edhe pse ndoshta nga malli
lotët do më rrjedhin rrëke
e shpirti im " Oh, sa më mungon, i dashur"
pandërprerë do të rënkojë!

Kur të më marrë malli
për netët me ty,
do lus hanën ta shtrijë vellon më t’ kuqërreme
anekënd Dardanisë,
e ziliqarët t’ i shitojë djalli,
le t' ngujohen në të ferrit dry
mjafton ne të dy ta mbajmë gjallë
"Betimin e Dashurisë"!