>
LETERSISHQIP
Violeta Kadriu

Si E Dua Vdekjen

Dua të vdes duke dashuruar,
jo me bulëza egërsie, duke urryer,
jo me zemër e shpirt përvëluar,
si diamant shkëlqyes, nga asnjë anë i gërryer!

Dua të vdes edhe me fustan t’ leckosur,
por, kopsat e atij fustani afshit të dashurisë zbërthyer,
jo si anije nga dallgë shkëmbinjve plandosur,
jo si diell lirie nga terr robërie zhgënjyer!

Dua shkuarjen time t’ ma përcjellin t’ gjitha stinat,
pranverat me aguliqe, dimrat me fërfëllaz,
atë vit më së blerti t’ ylberojnë rudinat,
me verdhaket vjeshtore t’ më qajnë me maraz!

Varrin t’ ma qëndisin me erëmira klizantema,
që dhe brenda tokës amë t’ më dehin me aromë,
n’ gji të ndonjë zabeli, ku zogjtë puthen n’ lulebagrema,
t’ i shijoj magjitë e kësaj bote dhe n“ t’ përjetshmen dhomë”!

Shumë dua të vdes nën hije të një bliri,
ku lule e bilbila do më shijojnë sytë,
atje, ku prushi i zemrës s’ do më mbulohet nga hiri,
oh, s’ dua të jap shpirt vetëm, por me ty, vetë e dytë!