>
LETERSISHQIP
Violeta Kadriu

Nëse S'më Do Tani

Nëse s'më do tani
kur ndjehem e lënduar,
kur ndjehem zemërthyer
e me shpirt përvëluar,
kurrë më mos guxo
të më thuash se m’ ke dashtë!

Nëse s'më do tani
kur nuk kam asgjë,
kur tingujt e këngës sime
nuk lëshojnë më zë,
kurrë mos guxo të ma përmendësh
çfarë përjetuam bashkë!

Nëse më lë tani
kur fati më ka lënë,
kur pikëllim e mërzi e çmendur
frymën ma kanë zënë,
shpalose urrejtjen time për ty
le të më dalë mbi asht!

Nëse më përbuzë tani
kur veten s’ po e dua,
kur jeta dhe vdekja
po lozin valle mbi mua,
çrrënjose dhe kujtimin
se dikur jemi dashtë!

Mos u thuaj "Lamtumirë"
njerëzve që na duan,
mos u thuaj "Lamtumirë"
as yjeve që na ndriçuan,
por, thuaju atyre
që fatin na shëmtuan!

Thuaju, thuaju 'Lamtumirë"
e mallkoji fort,
atyre që hodhën akull
mbi dashurinë tonë të ngrohtë!