>
LETERSISHQIP
Agim Shehu

Shqipëria

1.(në orën e gjeografisë)
Kërkonim Shqipërinë mbi globin –
"ja, ja…kjo pika te kjo vija"!..
I vinim gishtin…e mbulonim…
(e shtrenjta jonë Shqipëria!

Një pikë në glob…po ç’né, ku janë
kaq male, pyje e zabele!
Sa pak i vinë meridianë,
sa pak i shkojnë paralele!

Na ngopej syri në dritare,
na pikej syri përmbi glob.
Si s’je, moj Shqipëri më e madhe,
dhe dridhnim globin prapë si top.

E shtetet fqinjë mbi glob nxitojnë
ende më tej t’u vejë kufia.
Ne, sytë veç te "pika" jonë,
mos humbte fare Shqipëria.

2.(në orën e historisë).
Vjen "historia", dalin trimat,
na nxirnin ballin gjyshërit tanë.
Sa paralelet shtrirë martinat,
Sa meridiani jataganët.

Qëllo në mbrojtje e s’u lodh
kjo "pikë" e viseve të mia,
e kurrë qerpiku nuk iu drodh
kur thirrte "ndihmë!" Shqipëria.

Dhe historia flakë mori,
vargmale luftrash ngado rriti.
Kjo "pikë" vallë, nga i nxori,
ky vënd i vogël si i ngriti!

Vërtitet globi, toka, detet…
Unë sytë aty, te vatra – nëna.
Atdheu im gjëkundi s’vete,
e as të huaj nuk lë brënda.