>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Dy Vjet Pa Gjumë…

-Eh, -psherëtiu Fani duke fërkuar mjekrën.

-Ç’pate? – i them.

-Ç’të kem, deri dje trembeshim ne nga të huajt, tani tremben ata nga ne.

-S’të kuptoj.

-Ç’të kuptosh, ju gazetarët doni t’i themi fjalët si doni ju.

Ja, më 1987-tën, në verë, kisha lënë një takim me një mikun tim në turizmin e qytetit të Sarandës. Pa pritur, para këmbëve të mia, ndalon një autobuz me turistë. Nga të folurit ishin grekë. Turistë me pikatore në atë kohë...Ata morën plackat e u ngjitën shkallëve. Në fund mbeti një burrë plak mbi të 65-tat. Para këmbëve kishte një goxha valixhe sa një veturë...Bëri dy herë ta ngrinte, por... valixhja nuk lëvizi, ndërsa ai gati u shtrembërua, sa të rrëzohej, e pashë që për të, aty edhe dhjetë vjet do të rrinte plaku, dhe valixhja me rrota... Pa i thënë gjë, ngrita valixhen dhe ngjita shkallët. Ia lashë para derës së ashensorit. Kur do të ikja, sigurisht pa e hapur gojën, si të isha memec, plaku më zgjati dorën miqësisht. "Efhariristo", më tha plaku e në dorë më lëshoi një monedhë letre...E pashë, ishte një mijë dhrami. U sula tek ashensori, por dera u mbyll. "Bobo c’më gjeti!" thashë me vete dhe pashë rreth e rrotull mos ma kish ngjitur ndonjëri damkën. Dora pa më pyetur mua e kish fshehur në xhep mijëshen. Ashtu i djerësitur mora udhën e shtëpisë. Udhës mallkoja plakun dhe veten. S’dija c’të bëja me dhramitë. Ti hidhja? Më dukej vetja vec frikacak dhe i cmendur...Pastaj c’bëra? I fsheha në një kuti nga ato të bojës së këpucëve dhe i vura poshtë kutisë së ujit në kafazin e pëllumbave...Mbi dy vjet aty mbetën dhe unë me frikë se mos ndonjë natë na vinin ata të sigurimit dhe për një mijë dhrami më e pakta ishte 1000 ditë burg...Kështu derisa " socializmi" shqiptar na dha lamtumirën...