>
LETERSISHQIP
Benjamin Krasniqi

Tokë E Ujitur Me Gjak

Mijëra vite: sundim, robërim, përdhosje e skllavërim.
Shtypje e tretur: në tokat tona, në shtëpitë tona, në pragun tonë.
Përdhunim e përdhosje, sharje e nënçmim.
Luftëra pa asnjë shkak, djegie pa asnjë arsye.
Masakra e vrasje, në tokën tonë.
Pushtuesit u ndërruan, por vetëm në emër.
Të gjithë një qëllim kishin.
Gjaku i popullit tonë, shuante etjen e bishave,
Mishi i trupave tonë, shuante urinë e egërsirave,
Asnjëhere nuk e shuan, as etjen e as urinë.
Gjithmonë të pangopur, gjithmonë të etur,
Për gjakun dhe mishin tonë.
Tokë e ujitur me gjak, është trolli ynë.
Gjak që ujit lulet, që freskon pranverën.
Toke e djegur nga baroti, e ujitur nga gjaku.
Kurrë vështirësitë nuk na u ndanë.
Do të na ndjekin edhe në varre si duket.
Vitet, shekujt e mileniumet ikin,
Stinët e epokat ndërrojnë,
Edhe emrat e bishave dhe egërsirave ndërrohen,
Por qëllimi i tyre mbetet po ai,
Ai i para dy mileniumeve, ai i para disa shekujve,
Ai i para disa dekadash, vitesh e stinësh.
Mjetet ndërrojne me kohën, me rritjen e teknologjisë,
Por qëllimi mbetet po ai i mykuri, ai i romakëve, grekëve e sllavëve.
Te gjithë bëhen bashkë, kundër nesh.
Të gjitha bishat dhe egërsirat kanë një plan.
Të na vrasin, djegin, masakrojnë e të na dëbojne nga këtu.
A thua pse? Kujt ia kemi zënë rrugën?
Ne jemi në tokën dhe shtëpinë tonë!
Ku të ikim nga këtu, ku te shkojmë.
Ku mund të shkojë një njeri, kur dëbohet nga shtëpia?
Te bëhemi nomadë e mërgimtarë?
Ne nuk jemi ardhacakë ketu.
Ne jemi fija dhe rrënja e kësaj treve.
Nuk kemi nga të shkojmë.
Ne do të mbesim këtu per jetë e mot.
Jemi këtu para të gjithëve, këtu do të mbesim,
Deri në ditën kur Zoti do të na marrë të gjithëve, pa asnjë dallim.
Kemi një Zot, një tokë dhe një Shqipëri.
4. V .2014