>
LETERSISHQIP
Ignacio Larrañaga

Ati

Si do Të të thërras Ty, që nuk ke emër?
Ai që doli nga humnerat e vetmisë Sate,
i Dërguari yt Jezusi, na tha që Ti ishe dhe quheshe Baba.
Qe një lajm tepër i madh.
Në mbrëmjen e qetë të përjetësisë,
ndërsa ishe jetë dhe zjarr që përhapej,
unë jetoja në mendjen Tënde,
më përkëdhelje si një ëndërr të artë,
dhe e kishe të shkruar emrin tim
mbi Pëllëmbën e dorës Sate të djathtë.

Unë nuk e meritoja,
por Ti më doje tashmë pa një pse,
më doje si duhet një fëmijë i vetëm.

Nga nata e vetmisë sime ngre duart
për Të të thënë: o Dashuri, Atë i Shenjtë,
det i pashtershëm butësie,
më mbulo me Praninë tënde, sepse kam ftohtë, dhe shpesh çdo gjë më frikëson.
Thonë se aty ku është dashuria nuk është frika.

Pse atëherë ato kuaj të zinj beteje më tërheqin drejt botëve të panjohura me ankth,
me frikë dhe me shqetësime?
O Atë i dashur, ki mëshirë,
e më jep dhuratën e paqes,
paqen e një perëndimi.
Unë e di që Ti je Prania që do, dashuria që të mbështjell, pyll i pafund krahësh,
je falja dhe kuptimi, siguria dhe qartësia, gëzimi dhe liria.

Dal rrugës dhe Ti më shoqëron;
zhytem në punë dhe më qëndron pranë;
në agoni dhe më përtej më thua:
jam këtu, po vij me ty.
Edhe në u përpiqsha të largohem nga rrethi i dashurisë Sate,
edhe në kapërcefsha male dhe yje,
edhe në fluturofsha me krahët e dritës,
gjithçka do të ishte e padobishme…
Më ndjek në mënyrë të pashmangshme,
më rrethon, më përmbyt, më shndërron.

Më thanë se këmbët tuaja përshkuan botët dhe shekujt pas hijes sime që ikën,
dhe kur më takove qielli u mbush me këngë.

Me një lajm kaq të mirë më ke shndërruar në një fëmijë të lirë.
Të falënderoj.

Dhe tani shkatërroi kështjellat e mia të vjetra,
muret e larta të egoizmit tim,
derisa të mos mbesë në mua
as pluhuri i vetes sime,
kështu që unë të mund të jem tejdukshmëri për vëllezërit e mi!
Atëherë, duke kaluar përmes botëve të shkretuara,
do të jem edhe unë butësi dhe strehë,
do të shndris netët e shtegtarëve,
do t’u them jetimëve: “Unë jam nëna juaj”,
do t’u jap freskinë e hijes të lodhurve,
atdheun të arratisurve,
dhe ata që nuk e kanë një vatër
mund të qëndrojnë nën ullukun e pullazit tim.

Ti je Vatra ime dhe Atdheu im.
Në këtë Vatër dëshiroj të pushoj
në fund të luftimit.
Ti do të realizosh ëndrrën time,
o Atë, përjetësisht që do dhe që duhesh. Amen!
Nga libri Takim i Atë Ignacio Larrañaga.
Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi