>
LETERSISHQIP
Ignacio Larrañaga

Prani E Fshehur

Nuk je.
Nuk shihet Fytyra jote.
Je.
Rrezet e tua shpërndahen në mijëra drejtime.
Je Prania e Fshehtë.
O Prani gjithmonë e fshehtë e gjithmonë e dukshme,
o Mister Joshës, drejt të cilit mblidhen të gjitha aspiratat!
O Verë Dehëse,
që kënaq të gjitha dëshirat!
O i Pafundmi i Pakuptueshëm,
që hedh përdhe të gjitha ëndrrat!
Je më i largët dhe më i afërt se askush.
Je substancialisht i pranishëm në tërë qenien time.
Ti ma jep ekzistencën dhe qëndrueshmërinë.
Më depërton, më mbështjell, më do.
Je rreth meje dhe brenda meje.
Me Praninë tënde aktive
arrin zonat më të largëta dhe më të thella
të intimitetit tim.
Je shpirti i shpirtit tim, jeta e jetës sime,
më shumë uni i vetë unit tim,
e vërteta e plotë e plotësuese, në të cilën jam i zhytur.
Me forcën tënde gjallëruese depërton të gjithë atë çka jam e kam.
Më merr krejt si jam,
o i Tëri i të tërit tim, e bëj me mua
një tejdukshmëri të gjallë të Qenies sate dhe të Dashurisë sate!
O Atë tepër i dashur!
Nga libri Takim i Atë Ignacio Larrañaga
Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi