>
LETERSISHQIP
Ignacio Larrañaga

Qendra E Gravitetit

Për Të të kënduar, o Jezus Zoti im, do të më pëlqente të kisha sytë e shqiponjës,
zemrën e fëmijës dhe një gjuhë të ngjyrosur nga heshtja!

Preke zemrën time, o Zot Jezu Krisht,
preke dhe do të shohësh se si do të zgjohen ëndrrat e varrosura në rrënjët njerëzore që nga fillimi i botës.

Të gjithë zërat tanë bashkohen si turmë tek dyert etua.
Të gjitha valët tona vdesin në brigjet e tua.
Të gjitha erërat tona flejnë mbi horizontet e tua.
Dëshirat më të fshehta, pa e ditur,
të thërrasin dhe të kërkojnë.
Dihatjet më të thella të kërkojnë me padurim.
Je natë me yje, muzikë diamantesh,
majë e universit, zjarr prej gurëve të strallit.

Aty ku Ti vë këmbën tënde me plagë,
aty planeti digjet nga gjaku dhe nga ari.
Ec mbi rrjedha tingujsh
dhe mbi maja mbuluar me borë.
Psherëtin mes pyjesh shekullorë.
Buzëqesh mes mërsinës dhe gjineshtrës.
Merr frymë mes algash, kërpudhash e likenesh.
Në gjerësinë e madhe të universit mineral
dhe bimor Të ndiej se lind, rritesh, jeton, buzëqesh, flet.
Je pulsi i botës, o Zoti im Jezu Krisht.
Je Ai që gjithmonë vjen nga galaksitë
më të largëta, nga qendra e zjarrtë e tokës,
nga fundi i kohës; vjen gjithmonë,
nga miliona e miliona vite drite.
Mbi ballin tënd shkëlqen fati i
botës, në zemrën tënde
përqendrohet zjarri i shekujve.

Me zemrën e ndritur nga kaq mrekulli përkulem për Të të thënë:
Ti je mbreti i territoreve të mi.
Për Ty do të jetë zjarri i gjakut tim.
Ti do të jesh ecja dhe drita ime,
shkaku i gëzimit tim, arsyeja e të qenurit tim,
dhe kuptimi i jetës sime,
busulla ime dhe horizonti im,
ideali im dhe plotësia ime, përfundimi im.
Jashtë Teje asgjë s’ekziston për mua.
Për Ty do të jetë kënga ime e fundit.
Lavdi dhe nder përgjithmonë,
Ty, Mbret i Shekujve!
Nga libri Takim i Atë Ignacio Larrañaga
Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi