>
LETERSISHQIP
Ignacio Larrañaga

Drita

O Zot, përsëri po jetojmë bashkë
një intimitet të thellë.
Secili prej nesh e ndien jetën e tij
në mënyrë të mrekullueshme të pushtuar nga jeta Jote.
Po jetojmë, tani, aventurën e jetës Tënde
në jetën tonë,
forcën Tënde në dobësinë tonë,
fuqinë Tënde në pafuqinë tonë.
Drita Jote ka hyrë thellë
në shtigjet e qenies sime.
Ti je drita për ecjen time.
E di se vetëm në dritën Tënde, o Zot,
mund të ndërtoj me kujdes jetën time.
E di se Ti jeton në dritë,
dhe se na ke komunikuar
pak nga kjo dritë.

Por, në mënyrë të dhimbshme,
për ne gjithçka është terr.
O Zot, njerëzit duket se ndihen të kënaqur se po ecin në terr.
Duket se provojnë kënaqësi
kur ecin verbtazi,
me një shirit të lidhur sipër syve.
Nuk duan të shohin.
Dhe ky është edhe mëkati im:
shumë herë nuk dua të shoh.

Kam frikë se, po ta shqyrtoj jetën time,
do të jem i detyruar që ta ndryshoj.
Të përgjërohem, o Zot: m’i hap sytë e mi!
Në këtë moment sinqeriteti, jam i sigurt,
o Zot, jam i sigurt se dua të shoh.
Lëre, atëherë,
që drita jote të depërtojë në errësirat e mia!
Dritë. Qartësi. Ndritje. Dritë që verbon. Qartësi e tejdukshme. Rreze që ndriçon. Dua të shoh, o Zot, dua të shoh. Amen!
Nga libri Takim i Atë Ignacio Larrañaga.
Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi