>
LETERSISHQIP
Ignacio Larrañaga

Kemi Nevojë Për Ty

Kemi nevojë për Ty, vetëm për Ty, e për asnjë tjetër.
Vetëm Ti që na do, mund të ndiesh për të gjithë ne,
që vuajmë dhimbjen që secili ndien për vetveten.
Vetëm Ti mund ta masësh se sa e madhe,
sa në mënyrë të pamatshme e madhe është nevoja për Ty
në këtë botë, në këtë çast.

Të gjithë kanë nevojë për Ty,
edhe ata që nuk e dinë,
dhe ata kanë më shumë nevojë se këta që e dinë.

I urituri mendon se duhet të sigurojë bukën,
e ndërkaq ka uri për Ty.
I eturi mendon se ka etje për ujë,
e ndërkaq ka etje për Ty.
I sëmuri mashtrohet kur dëshiron shëndetin;
por e keqja e vërtetë, përkundrazi, është mungesa Jote.
Kush kërkon bukurinë e botës,
pa e kuptuar të kërkon Ty që je bukuria e plotë.

Ai që me mendimet e veta kërkon të vërtetën,
pa e kuptuar të dëshiron Ty,
që je e vërteta e vetme e denjë që të jesh e njohur.
Kush përpiqet që të arrijë paqen, po të kërkon Ty,
Paqja e Vetme, ku mund të pushojnë zemrat e trazuara.

Ata po të thërrasin pa e ditur se po të thërrasin,
dhe britma e tyre është, në mënyrë të mistershme,
më e dhimbshme se e jona. Kemi nevojë për Ty. Eja, o Zot!
Marrë nga libri Takim, nr. 6,
i poetit spanjoll Ignacio Larrañaga.

Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi