>
LETERSISHQIP
Leo Gjata

Kamari Stanit

balladë

Si nga një legjendë, junikorn me shalë,
Pyes ç’i ka ngjarë, po ku shkon ky kalë?
Ecte me të shpejtë, gjer dolli në majë,
Ndonse i uritur, nuk deshi të hajë.

Shkoi në Çuk’e Peçit, rendi në dëborë,
Era fryn dhe duket, si zile’këmborë
Shikon rreth e rrotull, pastaj tatëpjetë,
Tund kokën i trëmbur, se ka mbetur vetë.

Hingëllin pa reshtur, me veshët përpjetë,
Çfryn hundët tërbuar, dhe kërkon kopetë.
Po pse s’lehin qentë, po dhëntë ku vanë..?
S’humbi veç të zonë, por humbi tër stanë..!!

Kjo kafshë fisnike, i pari’karvanit,
Si dashi’kopesë, dhe kamari*stanit,
Plakat e pështynin, mos i bëjn magji,
I varën në ballë, dhe një haimali..

Ish binek* çelniku, nuk ish kal samari,
Tha: unë atë dua, kur erth Komisari,
I morën bagtitë, me zil’e këmborë
Llaion e çelnikut, se vun dot në dorë.

Çelnik xha Mitrushi, i shkuar në moshë,
Që kur muarn dhëntë, nuk qe më shëndoshë,
Delte përmbi stan, përkëdhelte kalë,
Një muaj më vonë, vdiq pa thën një fjalë.

Shën Kolli Vodicës, kambanat rënkojnë,
Për çelnik Mitrushin, tashti po vajtojnë,
Gjëmonte Gramozi, hingëllime kali.
Vllenj e muslimanë, mbledhur rrëzë mali.

Tashti stani tërë, s’kishin pse të rrinë,
Pa bagti dhe kuaj, muarn arratinë,
Me shalën e kuqe, fre dhe yzengji,
Nxiton kali shkretë, se mos gjej njeri.

Kur shkoi xha Nasi, pas kishës matanë,
Pa disa vorreze, plot gjyrma hajvanë.
Ndënë qiparisa, ne varri’çobanit,
I qëndronte roje, t’zotit trim i’stanit.

Ngrihej më dy këmbë, përplasej mbi varr,
Çfryn si i tërbuar, sikur shkel në zjarr,
Rrëmon thellë dherin, tërheq me patkua,
Sikur don të thotë: zot ku shkon pa mua.

Plaku shtriu dorën, me nga’vash ta prekë,
Kali rënkoi rëndë, dridhej si purtekë.
Loton, lëpin dorën, sikur desh ti thotë:
Mir e ke..por unë, skam tjetër në botë.

Në vjeshtë xha Nasi, gjen Llaion e shtrirë,
Ne varri’çobanit, dha shpirt trimi’mirë,
Stolisur me shalë, yzengji ee fre,
Pran varrit të Mites, e mbuloi në dhe.

Malit përmbi Starje, bari gjer në gju,
Kur shkojnë fshatarët, për bar e për dru,
Nga stani’çobenjve, vjen një oshëtimë,
Thon ësht kali’Mites, dëgjojn hingëllimë.

Kamari=greqisht, mburrja. Junikorn=Kalë mithollogjie me bri në ballë. Binek=Vllahisht, kalë-shale. Llaion= Vllahisht, Kafshë e zezë.
Shkurt 3-2014