>
LETERSISHQIP
Mateo Yskollari

Ndriçon Feneri I Shuar

Si të shkoi nata sot?
E bukura, e imja Hënë.
Skalitur yje brenda teje,
E të tjerë që rradhën zënë.
Po hesht... unë flas me veten
e ndritshmja që s'më le të fle,
Sa më larg meje të kam,
Malli zemrën shuar rrugës,
E zvarrit, përtokë e le.
Edhe ja pra... vij saherë kështu
dritares, të të shoh duke ndriçuar.
Fenerët e jetës time,
Të shkëlqejnë nga pak, të shuar.
S'ka vajgur të ndizem vetë
Dhe kandili më është lagur.
Nëpër orë të vona,
Tek të gjithë fenerët ndezur rrinë,
Unë mendoj sa shumë jam plakur!
S'jam rrudhosur, jo... as jam tretur,
Kam kaluar kohë i vetëm,
Dhe për dritë jam etur!
E tani dritares së fenerit rri,
Xham mbuluar, avull nate,
Drita jote depërton pa pengesë,
Ti afrohesh Hëna ime e ndjerë,
Shpresë më jep nga e jotja dritë,
Më le tretur xhamit, dita-ditë.
I harroj ndriçimet rreth e qark,
Që verbues sytë e mi po bëjnë,
Kam një Hënë, një dritë pa flakë,
Ja pse s'dihem plak!