>
LETERSISHQIP

Ëndrra E Keqe Që E Shoh Përnatë

Në vendin tim
edhe pishpirikut
i ngelet "tunxh"...

Gjithçka paguhet
Asgjë nuk hahet
As pihet

Në cilëndo lagje, në shtëpi të vogël a apartament
Uji vjen natën vonë kur je në pikë të gjumit ose hiç
Kokëpalarë bjen e çohesh natë e ditë
Shajë e fyej kot, s'çanë kokë as trap njeri!

Beton, pastaj sërish beton
Të kallen këmbët, të kallet koka
Asnjë hije nuk bën fllad
Asnjë, asnjë... madje as nata.

Fatura të fryera paguan i varfri se nuk do të koritet
Për rrymë që rrallë e sheh
Për ujë që kurrë s'e pi
Për bërllok që kurrë s'e hedh
Për asfaltin e kaladredhur mbushur me gropa
që po të zuri këmba në to të shkulet koka e të thyhen kockat

Në shesh, lypsarët mbajnë koncert
24 orë dhe zëri nuk iu shteron
Paguhen nga populli, jo nga qeveria

Në vendin tim,
Politikanët hanë byrekë e jogurt në zyra
Kursejnë për të blerë pallate, vetura, kollare të mira
Në bjeshkë ku pushon trupi e mendja ngrehin vila
Sipër tyre vendosin flamurin kombëtar plot rrudha
për ta treguar shpirtin patriotik e gjakun e nxehtë ndër vena

Përreth oborreve luksoze mbushur me palma
kunjat shenjojnë hapësira të ndaluara
Nuk shkel këmbë udhëtari, as bariu
ruhen syhapur plot kujdes
janë Zona politike,
Zona diplomatike
Zona të zëna... të mbrojtura me Ligje (!)

Unë ende besoj që jam në ëndërr...
S'besoj në këto që shkrova...
7 janar 2022

DËRGOI: