>
LETERSISHQIP
Natasha Limaj

Jam-Jam-Jam

Fund e fillim viti jam, jam dhurat’për vit të ri,
Seç jam, copëzat m’i gjeni në timen biografi…
Jam koçimare " Shashice ", çelitur rërës së detit,
Jam një degëzë mersine nga ballkoni i qytetit…
Jam nga vaj’i argëlidhit, nga yshmeri me shumë petë,
Nga byreku me lëpjeta, mëndërzë e tufëz qepë….
Nga oxhaku shpuzëruar e tigani me kokoshka,
Jam nga shega, jam nga ftoi, që mbështetur rri tek porta…
Jam nga xhami e " Oxhollit ", jam nga " Fejzajt " sojëli,
A ta marrë për të vërtetë?.. Pikëz gjaku " Konjalli "…
Jam nga gurët e sokakut, nga gardhina me xinxife,
Karshillëk për ngjyr’i bëja me fustanin tim kadife…
Jam një grimcëzë Kanine aty, në brinjë të Kalasë,
Gërshetin litar mbas shpine, gjë e shenjtë, prej Mamasë…
Jam e bija e Selimit me kabash pinte rakinë,
Kryemik e burrë zakoni numër dymbëdhjetë dollinë …
Jam e motra e " Sizif-ve ", malore na erdhi jeta,
Sa ulli në shpinë " Kanina ", aq të poshtme-të përpjeta….
Jam nga fjala, jam nga vargu, kokën katrenës ritmike,
Shpirtin " Pegas " i harbuar, ndër pyllnaja poetike…
Jam-jam-jam!…, fllad Kanine, aromë Vlore, po, dhe çikëz Labëri,
Meqënse, si sot kam lindur, thash:-Të më urosh dhe tiiii!…