>
LETERSISHQIP
Petraq Kote

Gjithmonë Eca Zbathur Përmbi Jetën Time

...unë i kam gjërat më të dashura të jetës sime.
Ka nga ato që s‘ më janë pranë, por, madhështia e tyre e kalon mendimi tim.
Sa herë vdes një port, një aerodrom qaj, qaj se vdes një ardhje
edhe kur vdes një poet, një urë.
Unë e ngjita bukurinë e njeriut siç ngjitnim në marshime „Shkallët e Tujanit" nė Bizën e Martaneshit.
Brezi im i ngjan të pamundurës,
askush nuk e kuptoi rritjen e tij në zgripe kohërash.
Kam parë male të vrarë, fusha të gjymtuara, pyje të therur, kam ndalur, i kam hedhur përmbi supe dhe i kam varrosur me nderime.

Kur ne përplasnim këmbët e studentit ushtarak në Tiranë,
trokitja e çismeve tona, komshinjve ju bëhej rrahje zemre.
Por, ne, atdheun na e morën...

Eh, dashuria ime e thellë dhe pa brigje, ti nuk ke mole ku të zbrisnin ca gra që të dashuruan ty,
ato ishin bija pellgjesh.
Bijat e oqeaneve nuk zbritën kurrë.

Gjithmonë eca zbathur përmbi jetën time,
të mos më dhimbte gjaku.

@kotepetraq
Fier, 17 mars 2020