>
LETERSISHQIP
Rita Petro (Filipi)

Mos E Vrit Veten As Këtë Natë

Mos e vrit veten as këtë natë
Ti
Që çdo mesnatë e gjen shtëpinë
Zhytur në errësirë…
Ku e zeza dhe drita pikturojnë
Imazhet e tua surreale,
Lindur prej një truri të eksituar
Nikotine-alkoole-drogash…

Mos e vrit veten as këtë natë
Duaje vetminë tënde
Madhështore, të shurdhët,
Zhurmë-tingujsh dhe aromë-masturbimesh
delirante.

Mos
Mos e vrit veten as këtë natë!
Vetmia jote boheme është më e mirë
Se gënjeshtra që mban në një krevat
burrin dhe gruan,
Se pagjumësia e "liderit" pervers
Që ëndërron të shembë çdo ditë
nga një ëndërr tonën,
Se makthi i atij që fle
Mbi dyshek parash erëndyrë,
Spërkatur me Pure White Cologne.

Prit!
Para se ta pish dhe pikën e fundit të helmit,
Dëgjoje qarjen e saksit që vjen nga lokali poshtë
Klithmën e mbytur të seksit
Pas murit në të majtë,
Drithmën e celularit dritëmekur,
Kur vizatohet një zemër në ekran.

Asnjëherë s’je vetëm o Ti mik,
Që kërkon të shpëtosh veten nga errësira!
Jam dhe Unë këtu.
Jemi të Tjerë aty-këtu
Që vrasim natën me një gotë kokteji,
Ku pikëllimi përzihet
Me pak ëndërr
Pak shpresë
Dhe pak gjak cherry.

Mos e vrit veten, as këtë natë!