>
LETERSISHQIP
Rudina Muharremi

Rilindje

Kurmi i pamëkat
preku rrezen e alltë të dritës,
trembur prej statujash t’bardha,
për herë të parë
kur ndjeu se bota përreth
ishte pragu i një lindjeje.

Përtypi ajër që atëherë…
udhës me njerëz që vajtën e mbetën…
pa jetën të ndryshojë në një rrahje qepalle,
filiza që mbinë e u tretën,
dimra mes tyre të ndërrojnë stafetën
heshtje që folën e fjalë që fjetën…

U ndal për një çast…
Gërmëzoi diçka nëpër dhëmbë,
korridorit të errët të mëndjes rrëmoi,
mbyllur sytë…
vetëdijshëm kujtimet dyndte,
Kërkonte ditën kur lindi për herë të dytë…