>
LETERSISHQIP
Rudina Muharremi

Tablo

Pleksej e shpleksej tablosë së gjallë
imazhi, që si gjethet dyndej
kahëve nga frynin erërat,
e vetvetja kurrë s’mund të ishte…
Ndërsa bindesha,
se s’kishte varfëri më të madhe
se boshi që fshihte imazhi sqimë endur,
i atij gjoksi n’gufim,
mbushur përplot me veten….

Këmbëzbathur zhvendosesha akuarelit në lëvizje,
nën shiun që rrëzohej me duf,
e me rrathë shpërhapte rrëfenjat e territ,
reve shpëlarë
tablosë së shfaqur,
brenda kornizës
që asgjë s’mund të falë…