>
LETERSISHQIP

Çikriku I Jetës

Errim përditë zemrën me frikën e vdekjes
mërzitjes ndrydhur,
çikrikut të mendimeve që gërryejnë,
pa ditur ç’bëjmë
asnjë drejtim,
pa siguri
shpirtin ushqyer gjithmonë me thërrime…

Klepsidra zbrazet,
njofton se koha po mbaron,
e harrojmë të jetojmë…
përpjekjes për të patur diçka që s’na përket…

Udhëtonte bota drej fatit të verbër
natyrës së egërsuar
në trajta pluhuri të helmët
që zverdhte blerimin e pranverës
e rrëmbente lulet në çelje
për ti shpërndarë orbitave të tymta
pa shpresë
pa kërkim Itake
por heshtjes së veshur në të zeza
udhëtuar nëpërr rrugët e shkreta.


Boshtit të një paqeje të humbur,
rrotullohej vazhdimisht ambicja e tjetërsuar,
veshur nuancave të bukura,
vështrimit fshehur.

Dehur atij eksitimi,
që ka një fillim gati fëminor
e kaq larg të dërgon prej vetes
vetkënaqësisë së Unit
në kërkim të një tjetër emocioni…

Çudi, si mundet kjo ethe shpirti,
t’i shpëtojë tonës vetëdije?!

Bashkonte skajet e mendimeve,
që thyheshin,
zbeheshin,
rrymave trazuar,
trafikut të ndjenjave mes arsyes e zemrës,
trajtë të butë gërmave për ti dhënë,
që më pas shndërroheshin në sllogane,
vagonë përditshmërie,
me të cilët do të udhëtonte drejt fjalës…,
asaj që vetëm një herë kishte thënë!



***

Vegimit të një dite, detit përballë,
atje ku vala takohej me bregun
shikonte pulëbardhat tek silleshin rreth
e mes regëtimave humbisnin nëpër dallge.

U drodh një çast, bregut të lartë
me krahë imagjinarë ende të brishtë
s’ do të mjaftonte ai vështrim i gjatë
te prekte blusë së thellë të gjitha gjatësitë.

Mori ngjyrat i vendosi mbi sy…
thua, ç’ngjyrë do të hidhte mbi ty?!


Harruar prej botës,
kangjellave të ndryshkura të një muri të ftohtë
vazhdueshëm ecejakeve dyshemesë së zezë
fajtorë famëkeq, mes botës së njerëzve,
përgjegjës,
…sepse ishin të varfër!

Dy pika verë i lagnin cepin më të largët të buzës,
atij turbullimi të lehtë,
me sy ngjyrosës murit përballë
herë me të zezë plis,
herë me të bardhë
tek priste…, askënd,
e mjaftohej me veten,
gotës pëballë.