>
LETERSISHQIP
Rudina Muharremi

Bijë

Bija ime,
do të doja të banoja brenda syve të tu
vështrimit tënd me flatra drite
gurgullimës që shpirtin më njom,
si shiu tokën e etur,
...sa të kam pritur!

Frymë e frymës sime

Shtrij krahët në një përqafim
kur shputat të të digjen prej mallit,
si një ylber shumëngjyrësh,
ngazëllimthi vrapo lëndinës jetë
pa frikë,
gjurmëve të së nesërmes,
lundro oqeaneve, qiejve të ri
e me duart e buta,
eja,
eja e flokët prekmi përsëri.

O bijë,
vështromë me sytë e tu të kthjellët
e dashurinë falma të mëndafshtë
me ty gjithë botën kam
s’më duhen fjalë,
qëndro si dielli në shkëlqim
jepmë dritë
si rrezja që çel në agim
e me flakërimën e buzëqeshjes tënde ndizmë,
o lulja ime,
o lumturia e çdo stine!

Merrmë përdore pranverë e shpirtit tim
pasqyrim i mijëra diejve,
psalti im,
e kur shpirti të më jetë lodhur
lërmë të shkoj,
dhe ti shko udhës tënde
me mallin ruajtur në shteg qerpikësh!