>
LETERSISHQIP
Rudina Muharremi

Dheut Tim

Nuk kujtoj mirë si humba udhën
e zgjodha të shkoj kaq larg teje,
Bekimi im!

Ti toka ime
që në gji mban etërit
ndalesave të përjetshme…!

Sa herë me ngadalë kurmin ta shkel,
gjunjët më dridhen,
e njëmijë ndjesi fshikullijnë njëkohësisht
qënien time prej njeriu të vockël,
gjoksit në dhimbje, kur t’avitem…!
Oshëtijnë hapave emocionet,
tek lexoj rrëfenjën e historisë tënde,
fshehur relievit të drobitur,
në çdo grimcë dheu, rëre, guri…
Mos u tremb kur trupin ta vrasin,
dheu im, zymtuar stinëve…

Qofsh e bekuar toka ime!
Nusëron hireve bukuria jote
portreti yt prej ëndrre,
në duart e nënave që tundën djepet,
e bujarisë së monopateve,
luadheve të kujtimeve
që galopojnë matanë sinorëve,
e agonisë së shpresave,
që lahen, thahen muzgut të vonë,
aty ku vala puth bregun,
mallit rrëqethës ku brenga rron…!