>
LETERSISHQIP
Rudina Muharremi

Orët E Dhimbshme

Ndjej brambullimën e orës së errët të gjuetarëve,
kurdisur prej duarsh të padukshme
pikëllimën, rënkimin e gjithçkaje,
që pareshtur digjet,
ndjej shtregullën e fatit të kolovitet
tek loz me bukën e përditshme
e pareshtur,
helmon e shter burimet...

Rrënqethin cikërrimat e ditëve,
eruditët kryekëputur erërat kur përgjërojnë,
lodhur nga fjalët e të marrosurve,
melankolitë, heshtjet ngurruese,
me kryqin e martirëve mbi shpinë
që përherë e më shumë,
bëhet më i rëndë...

Është ora e një gjuetie burracake,
është koha e horrave me ëndrra të ndyra
dhe e merimangave dinake...,
që "kafshatën" sajojnë,
me cergat e padukshme që endin nën kryqe

Është ora e fluturave tinëzare,
që shpirtin zhuritin në kthetrra bishash
e ndejnë flatrat teatrit të ndjenjave...
është ora e lakuriqëve,
që i druhen dritës së diellit,
e netëve arratisen prej foleve...

Është ora e dhimshme e demonëve
që gjithnjë dalin prej vetveteve
e me këmbët plot plagë
rendin purgatorit të flakëve
e tek fshikullijnë "kamxhikë fjalësh",
i gëzohen grahmave therëse...

Po po, është ora e tyre,
kutërbimi i të cilëve
drithëron edhe pasqyrat e moçaleve
e atyre që ulur mbi llumin e vetes
shpërndajnë guacka shumëngjyrëshe,
e lidhin duart në lutje tek thonë:"ka një zot"