>
LETERSISHQIP
Sheremet Prokshi

Rri N'shpi

Urdhëri
"Rri n’shpi!"
U bë detyrim,
Rregull që s’përshtatet
Me aq lehtësi,
"Rri n’shpi!"- në mëngjes
"Rri n’shpi!"- "Rri n’shtëpi!"
Thuase nuk e dijnë
Se unë jam fëmi.

"Rri n’shpi!"
- Në mesditë
Dhjetra herë thot’ gjyshi,
Dëgjoj të thot’ nëna
Me urdhër të prerë,
Pa mendu më mirë
Se nga këtu brenda,
Luleve të bukura
Nuk mund t’iu marr erë.

Nuk mund të takohem
Me shokët e lagjes,
Të luaj si përpara
Fushës të vrapojmë,
Madje nuk e dinë
Sa jam përmalluar,
Në klasën e shkollës
Këngë të këndojmë.

E t’ia dëgjoi zërin
Ziles elektrike,
Së bashku të dalim
Jashta koridori,
Ishin të mjaftueshëm
Ata dhjetë minuta,
Për pakëz pushim
Pak freski oborri.

Tani brenda muresh
Jemi të ngujuar,
Nga ky lloj virusi
Pa këmbë e pa bisht,
Thonë para tre muajsh
I ka dalur gjumi,
Nuk lë vend pa prekur
Matufi i trisht.
11.04.2020