>
LETERSISHQIP
Vaso Papaj

Ku Jane Shqiponjat

Poet, ku janë tashmë, ku janë shqiponjat?!...
Ato që fluturonin lart, dikur?
Ato që gjer mbi retë renditnin shkronjat,
P A R T I, mbi shpate mali, mbi çdo mur.

Ku janë, poeti im, i mori vallë tufani?
Rrugëve të botës, vrulli i lirisë?
Ku janë? Nuk ndjej as përmallime xhani.
Asnjë puhizë s’më vjen nga koha e vetmisë.

Ndaj pyes: Ku janë ato, shqiponjat e vërteta?!...
Se ato të rremet ti i fluturove lart…
T’u pinin gjak shushunjat, moçaleve i gjeta,
Ndër galeri të tretur, piritin ngjitur, baltë.

Thuam të vërtetën! S’e di se ku i shpure.
Të paktën kockat t’ua gjej diku.
Ca pak lopata dheu, mbuluar dhe me shkurre
Tek njerëzit do t’i sillja, t’u bien dhe në gju.

Më kot, akoma shoh nga ajo kohë, të mbetur.
Ca fitimtarë betejash komedi.
Si shkëmb graniti e sup më sup mbështetur,
A do të mund të fluturojnë gjatë?... S’e di.