>
LETERSISHQIP
Vaso Papaj

Beso

Beso, beso në dashurinë time,
Beso në një mik të vërtetë.
Beso tek sytë që lëshojnë vezullime,
Ku s’gjete kërkund një sekret.
Beso të shkuarën që me dimrin ngërthehej,
Beso në ditën e festës sonë.
Kujto atë dorë, që përkëdhelte e dehej,
Drithërimë në kohë me demonë.
Atëherë do të kujtosh fjalët e mia,
Fjalët e mia të thjeshta.
Po s’do t’jem unë, do të jetë dashuria,
Zemra me rrahje të shpeshta.

Beso në lotët e një fëmije,
Beso, janë vërshime të pastra.
Beso triumfin mbi frikëra e trishtime,
Përbuzjen mbi sy të tinzarta.
Beso dashurinë që kërkon dashurinë.
Nga Zoti dhuratë, më e zjarrta.
Mos harro kurrë gënjeshtrën, hipokrizinë
Në terrin e netëve të acarta.
Atëherë do të prekësh ndjenjat e mia,
Ndjenjat e mia të thjeshta.
S’do të jesh vetëm ti, me ty dashuria,
Zemra me rrahje të shpeshta.